Këshilli i Bashkisë Shkodër ka miratuar buxhetin e vitit 2025 në një mbledhje të tensionuar, ku përveç diskutimeve të ashpra, opozita dhe mazhoranca u përballën me replika dhe kundërshtime. Buxheti u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk pranoi të merrte pjesë në procesin e miratimit pa pasur mundësi për të shprehur mendimin e saj.
Mbledhja nisi normalisht, ku kryetari i Bashkisë, Benet Beci, prezantoi tre projektet kryesore: investimet strategjike për të transformuar Shkodrën në një qendër kryesore të rajonit, realizimin e projekteve aktuale dhe planifikimin e atyre të ardhshme, si dhe një pikë të tretë për përmirësimin e administratës bashkiake.
Megjithatë, pas fjalës së kryebashkiakut, opozita kërkoi fjalën, por kryetari i këshillit bashkiak, Oltion Luli, i dha fjalën drejtoreshës së financave, Teuta Haxhi, për të shpjeguar detajet teknike të buxhetit. Opozita e kundërshtoi këtë vendim, duke kërkuar të marrë fjalën pas fjalimit të kryebashkiakut.
Pas një pauze disa minutëshe, mbledhja rinisi, por edhe gjatë pushimit, nuk u arrit një dakordësi. Anëtarët e opozitës u ngritën pranë foltores dhe nisën replika të ashpra me kryetarin e këshillit. Përfundimisht, nën tension, kryetari i këshillit ftoi mazhorancën të votojë buxhetin pa asnjë diskutim të mëtejshëm.
Në fund të mbledhjes, opozita shprehu pakënaqësinë me situatën dhe, me ironi, thërriti “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”, duke iu referuar sistemit komunist dhe duke theksuar akuzat për mënyrën autoritare të miratimit të buxhetit.