Ballina Aktualitet “Sunday Times”: 10 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri

“Sunday Times”: 10 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri

0
16

Plazhe që rivalizojnë vendet fqinje, alpe, lumenj të egër dhe një kryeqytet të gjallë dhe artistik që do t’ju lënë pa frymë në vizitën tuaj të parë në Shqipëri, shkruan Marianna Hunt në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Sunday Times”.

Shqipëria ofron plazhe të stilit Maldivian, male spektakolare dhe një histori magjepsëse.

Mahnituni nga diversiteti dhe bukuria e lumenjve, plazheve, maleve dhe qyteteve të saj!

Më poshtë vijojnë 10 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri!

1. Ksamili

Për ata që janë të magjepsur nga përshkrimet e Shqipërisë si “Maldivet e Evropës”, ​​Ksamili duhet të jetë vendi i parë për t’u vizituar.

Ky fshat bregdetar ofron plazhe me rërë, si plazhi i Bora Borës dhe Ksamilit – shumë të tjerë janë me guralecë.

Gjithashtu, ndodhen katër ishuj të pabanuar, “Ishujt e Ksamilit”, ku ju mund të notoni ose pedaloni nga plazhi kryesor i Ksamilit.

“Syri i Kaltër” tepër i popullarizuar – është rreth 50 minuta larg me makinë.

Ky burim ka ujëra aq të pastra sa mund t’i shihni deri në 50 metra thellë ose më shumë.

2. Parku Kombëtar i Thethit

Ky park kombëtar ndodhet në rrëzë të Bjeshkëve të Nemuna, të njohura si Alpet Shqiptare, në veri të vendit.

Zona ofron ujëvara, livadhe dhe lugina lumenjsh të rrëmbyeshëm. Është një vend i mrekullueshëm për zbulimin e kafshëve të egra – duke përfshirë dhinë e egër, rrëqebullin, ujqërit dhe arinjtë e murrmë.

Një nga shtigjet më të mira dhe më të lehta është shtegu i Ujëvarës së Thethit, rreth pesë milje.

Për alpinistët, rekomandohet shtegu i Majave të Ballkanit, 119 milje – i cili kalon në Kosovë dhe Mal të Zi.

3.Tirana

Tirana ofron një pamje krejtësisht të re post-komuniste. Ndryshe nga Berlini apo Varshava, ajo është çuditërisht shumëngjyrëshe, me tregje fermerësh, sheshe me gjethe dhe galeri arti.

Është e njohur për ish-bunkerët e saj ushtarakë, të cilët janë shndërruar në sallone picash në modë, atelie artistësh dhe studio piercing.

Në Bllok – mund të rrini në birrari të mëdha artizanale dhe të vizitoni ekspozitat në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Sigurohuni që të hipni në teleferik në Malin e Dajtit për të shijuar pamjen e mrekullueshme mbi qytet.

4. Berati

Qendra e qytetit është listuar në Unesco falë bukurisë dhe historisë. Beari njihet si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Shëtitja drejt Kalasë 2500-vjeçare që kurorëzon shkëmbin është e pjerrët, por ia vlen të vizitohet për pamjet që ofron – ndërsa rajoni përreth Beratit është i njohur për verërat e tij.

5. Shkodra

Veriu i thyer i Shqipërisë është i njohur për liqenet dhe malet e tij madhështore. Liqeni i Shkodrës është xhevahiri në kurorën e tij, një zonë e madhe e mbushur me plazhe, manastire dhe fshatra peshkimi.

Në Shkodër, ndodhet një nga Kalatë më të rëndësishme të epokës romake.

6. Saranda

Një nga destinacionet më të njohura bregdetare të Shqipërisë, Saranda ofron një qendër plot gjallëri me shumë restorante dhe bare plazhi.

Perëndimet e diellit me pamje nga deti pranë Kalasë së Lëkurësit janë veçanërisht spektakolare – vetëm 30 minuta larg me makinë deri në Ksamil.

Gjithashtu, vizitoni Butrintin – vendndodhjen arkeologjike më piktoreske të Evropës.

Ndryshe nga sitet arkeologjike në Romë apo Athinë, ky vend i UNESCO-s nuk është i populluar me turistë dhe ju do të keni mundësi të shijoni pamjen mbi një lagunë bregdetare.

7. Parku Kombëtar i Llogorasë

Parku ndodhet midis disa majave malore të vendosura nga fundi verior i Rivierës Shqiptare.

Ju mund të bëni ecje në pyjet e dendura me pisha. Shtegu i Majës së Qorres ofron një ngjitje të ndërlikuar – 6 milje me pamje të mrekullueshme.

Shumica e akomodimeve dhe restoranteve në park janë të vendosura rreth qendrës kryesore të vizitorëve.

8. Gjirokastra

Një tjetër perlë e listuar në Unesco, Gjirokastra me siguri do t’ju magjeps me rreth 600 pallatet e epokës osmane, pazarin e restauruar dhe rrugët me kalldrëm plot me dyqane dhe kafene joshëse.

Ju mund të eksploroni tunelin drithërues të Luftës së Ftohtë ose dëgjoni një nga shfaqjet e rregullta të muzikës popullore shqiptare në “Te Kube”, një hapësirë ​​kulturore, kafene dhe dyqan antik.

9. Kruja

Kruja do t’ju transportojë në një zonë sulltanësh dhe vezirësh me banjat e saj turke, Kalanë mesjetare dhe pazarin e zhurmshëm ku mund të ofrohen qilima dhe fruta të thata.

Kruja ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë dhe ndodhet vetëm një orë larg me makinë në veri të Tiranës.

Vizitoni Muzeun Etnografik dhe zhytuni thellë në folklorin vendas.

10. Durrësi

Qyteti më i lashtë i Shqipërisë, Durrësi ka një histori rreth 3000-vjeçare

Vizitoni Amfiteatrin Romak dhe pallatin e Mbretit Zog, i cili mori pushtetin, u kurorëzua mbret dhe sundoi deri në Luftën e Dytë Botërore.

Ky qytet i madh bregdetar ofron edhe një plazh prej 6 miljesh jashtë qendrës, i cili është i popullarizuar gjatë verës.

Për një vendpushim më të qetë, drejtohuni në veri për në Plazhin e Kallmit, i cili është më i vogël dhe më popullor nga vendasit.