Ballina Politika Pandeli Majko reagon për vdekjen e Kostas Simitis: Doli i nderuar nga...

Pandeli Majko reagon për vdekjen e Kostas Simitis: Doli i nderuar nga politika! Kishte rol të veçantë në miqësinë shqiptaro-greke!

42
0

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar pas lajmit për vdekjen e ish-kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis, duke vlerësuar kontributin e tij në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Përmes një reagimi në Facebook, Majko kujton se qeveria greke me në krye Simitis ndërtoi tre kampe në Shqipëri në ndihmë të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

Sipas Majkos, ish-kryeministri grek arriti të shmangte ekstremizmin brenda vendit dhe zgjodhi një politikë të matur e paqësore. Ai e përshkruan Simitisin si një figurë të dalluar në politikën ballkanike, që respektonte dallimet kulturore dhe nuk lejonte demonizimin e tyre.

Reagimi i plotë:

Kostas Simitis, ish kryeministri i Greqisë, ka ndruar jetë!

Cdokush është hero i historisë së tij personale por Kostas Simitis ka një rol të veçantë në miqësinë shqiptaro – greke!

Ai ka qenë në zyrën e kryeministrit të Greqisë gjatë kohës së Luftës së Kosovës dhe u bë protagonist i një politike të matur brenda vendit dhe ndihmues karshi shqiptarëve! Qeveria e tij ndërtoi tre kampe në Shqipëri në ndihmë të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, dhe shmangu me qetësinë e tij karakteristike ekstremizmin periferik në shoqërinë greke!

Kostas Simitis mund të karakterizohet si një njeri për të cilin ndjesitë nuk ishin fakte!

Me një formim kulturor greko-gjerman dhe po ashtu produkt i shkollës ekonomike të Londrës, Kostas Simitis bënte diferencë nga kultura e vjetër e sjelljes ballkanike! Ai respektonte dallimet dhe nuk i demonizonte ato! Puna e tij ishte e ardhmja!

Politika është një dhomë egoizmi por Kostas Simitis, doli prej saj i nderuar!

Lamtumirë mik!