Ballina Aktualitet Përgjimet e ‘Sky Enkro’, analistja: Bistri kishte lidhje me grupet kriminale në...

Përgjimet e ‘Sky Enkro’, analistja: Bistri kishte lidhje me grupet kriminale në Durrës, emërimi i Balës i dyshimtë

185
0

Analistja Anduena Llabani, e ftuar në një studio televizive, tha se përgjimet e Sky Enkro treguan punonjës policie që nxirrnin në pritë njerëz për t’u vrarë, apo informonin bandat për kalimin ose jo të kontejnerëve me kokainë në porte.

“Në nëntor të vitit ë shkuar Europol i dorëzoi Shqipërisë listën me drejtuesit e lartë të Policisë që kanë përdorur Sky Enkro. Nga janari deri në nëntor të vitit të shkuar ne patëm arrestimin e 69 efektivëve, çka tregon që e gjithë Policia e Shtetit ka kaluar në një sitë. Ka edhe nga ata persona që ende s’janë hetuar. Ende s’ka shkuar informacioni deri te Prokuroria.

Në momentin e parë që erdhën 80 mijë faqe nga vendet e BE në lidhje me këto zbardhje, dy drejtues të lartë të SPAK që kanë çështjet në hetim, ishin habitur nga mënyra si funksionin bandat kriminale në bashkëpunim me punonjësit e policisë, që tregonte se si nxirrnin punonjës policie në pritë njerëz për t’u vrarë, se si lajmëronin grupet kriminale për të kaluar ose moskaluar kontejnerë me kokainë në porte kyçe të vendit, se si njoftonin për operacione që SPAK-u dhe organe të tjera kishin ndërmarrë ndaj grupeve kriminale.

Policia ishte një me grupet kriminale. Shumë operacione të SPAK kishin dështuar falë Olsi Bistrit, deri në momentin që SPAK dyshoi, e vuri në përgjim, dhe konkludoi që ishte bashkëpunëtor i grupeve kriminale”.

Llabani tha që ende s’kemi parë një goditje të SPAK-ut ndaj bandave të Durrësit.

“Jemi në vit zgjedhor. Votat i kanë grupet e mëdha, familjet e mëdha, që i quajmë kriminale, ose fise të mëdha që drejtojnë zona dhe qytete të mëdha, të cilët falë parave dhe pushtetit janë garantët më të mëdhenj të votës. Futen eksponentë politikë, drejtues policie, drejtues lokalë, dhe të gjithë bashkë bëjnë atë që zgjedhjet fitohen nga X apo Y parti.

Drejtuesit e policive jo vetëm janë garantues të grupeve dhe funksionimit, por edhe të mënyrës si mund të manipulohet çështja. Tre qytetet më problematike janë Shkodra, Fieri, Elbasani, Durrësi. Janë 4 drejtues të rinj, ku pretendohet se kanë arritur pikët maksimale në garë, por s’janë aty rastësisht. S’kemi parë akoma goditje të SPAK-ut te bandat e Durrësit”.

Llabani tha që Bistri kishte lidhje me grupet e Durrësit, ndërsa ngre dyshime përse ish-drejtori i Operacionales Bala u vendos drejtues në qarkun e Durrësit.

“Nga të gjitha të dhënat që kanë dalë nga hetimet e SPAK, del që Olsi Bistri kishte shume lidhje me grupet e Durrësit, dhe ish-drejtori që e zëvendëson atë, ish-drejtori i operacionales Bala, vendoset drejtues në qarkun e Durrësit. Nuk e di nëse janë skema, apo janë grupet ato që vendosin drejtuesit. Kemi indicie të dyshojmë. Kemi një drejtues të Operacionales që zëvendësoi Bistrin, dhe vendoset drejtues në qarkun e Durrësit, duke qenë prapë aty”.

Llabani tha që ka policë që kanë familjarët që punojnë në Shërbimin Informativ të Shtetit. Ajo tha se do të kemi goditje të drejtuesve të policisë, por shtoi se nuk beson të preken personat që janë ndërkohë në detyrë.