Ballina Aktualitet 150 vizita për 24 orë, Spitali Rajonal i Fierit vuan nga mungesa...

150 vizita për 24 orë, Spitali Rajonal i Fierit vuan nga mungesa e mjekëve

11
0

Ditët e para të janarit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve të virozave respiratore në Spitalin Rajonal të Fierit, ku numri i vizitave ditore në urgjencë është dyfishuar, duke arritur deri në 150 vizita në 24 orë.

Shefi i urgjencës, Klodian Goga, ka deklaruar se shumica e rasteve paraqesin simptoma të lehta dhe nuk janë të lidhura me ndonjë virus të ri. Megjithatë, ka pasur edhe raste të mbingarkesës ushqimore nga festat, disa prej të cilave kanë kërkuar shtrim në spital.

Urgjenca e Spitalit Rajonal po përballet me sfida për shkak të mungesës së mjekëve. Aktualisht, nga 10 pozicionet e parashikuara, 9 janë aktive, ku 5 mbulohen nga mjekët e urgjencës dhe 4 nga mjekë të familjes të dërguar nga qendrat shëndetësore. Në këtë situatë, dy mjekë të spitalit janë pezulluar nga prokuroria, ndërsa dy të tjerë do të largohen për specializim.

Nën/drejtori i spitalit, Erblin Dollaku, ka theksuar se janë njoftuar autoritetet shëndetësore dhe pritet emërimi i dy mjekëve të rinj përmes portalit të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim zgjidhjen e kësaj problematike.