Ballina Aktualitet Gripi Shpendëve, Ministria e Bujqësisë: 4 vatra në Zall Herr, Nartë, Paskuqan...

Gripi Shpendëve, Ministria e Bujqësisë: 4 vatra në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe Karavasta! Situata në kontroll dhe nën monitorim

10
0

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dhënë një deklaratë lidhur me situatën e gripit të shpendëve në vend. Minstria bën me dije se janë 4 vatra të përhapjes së sëmuundjes me influencë Aviare, në Nartë, Zall Herr, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastës.

Më tej thonë se situata është në kontroll dhe monitorim. Shërbimi Veterinar Rajonal po monitoron situatën shëndetësore të shpendëve të butë dhe faunës së egër. Ministria bën me dije se ndalohet lëvizja e shpendëve të gjallë jashtë fermave në zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes.

Janë kryer testime të personave të kontaktit, të cilat deri tani kanë rezultuar negative. Ministria i bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast dhe të zbatojnë masat e biosigurisë, duke kufizuar ekspozimin e shpendëve në mjedise të hapura dhe duke rritur kujdesin për kontaktin me shpendët e egër dhe migratorë.

Njoftimi i Ministrisë: 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës dhe komunikimit me publikun informon qytetarët se situata për Influencën Aviare në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, nëpërmjet strukturave në qendër dhe atyre rajonale.

Sëmundja e Influencës Aviare e konfirmuar edhe në vendin tonë, është një sëmundje e një rëndësie të vecantë dhe me përhapje mbarëbotërore. Sipas komunikimeve të vazhdueshme në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve sëmundja aktualisht është e pranishme në mjaft shtete të tjera, të cilët zbatojnë programe kontrolli dhe mbikqyrjeje të njëjta me vendin tonë. Ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qellim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë.

Që prej konfirmimit të rastit të parë është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendëshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale të Krizës, e cila ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) p ër tre vatrat në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar ditën e sotme 09.01.2025 në Lagunën e Karavastasë.

Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura. Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikqyrjes.

Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimit rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë.