Ballina Politika “Deputetët të deklarojnë përdorimin e SkyEcc dhe Encrochat”, zbardhet propozimi i Bardhit:...

“Deputetët të deklarojnë përdorimin e SkyEcc dhe Encrochat”, zbardhet propozimi i Bardhit: Rezultojnë komunikime

12
0

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, në një shkresë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ka kërkuar që deputetët të plotësojnë një formuluar ku të deklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionet SkyEcc dhe Encrochat.

“Nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme”, shkruhet në shkresën e Bardhit drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Ai thekson se këto dyshime ngrejnë dyshime mbi integritetin e deputetëve, si edhe të vetë Kuvendit të Shqipërisë.

“Prandaj është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, shkruan kreu i Grupit të PD-së, teksa shtoi se formulari do të jetë i bazuar në modelin e përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozite, deputeti propozues i këtij projektvendimi, do të dorëzojë bashkëlidhur edhe formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, të plotësuar”, shprehet Bardhi.

Pjesë nga shkresa

Nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues të qytetarëve, duhet të mishërojnë standardet më të larta të integritetit profesional dhe moral, etikës dhe ligjshmërisë. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Prandaj, nisur edhe nga modeli i përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit, të miratuar me urdhërin nr. 196, datë 04.12.2023 të Ministrit të Brendshëm, me qëllim ruajtjen e standardeve më të larta etike dhe të integritetit, është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”.

Neni 62/2, i propozuar për t’u shtuar në Rregulloren e Kuvendit, parashikon, krahas detyrimit për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, modelin e vetëdeklarimit, afatin e dorëzimit të këtij formulari, strukturën administruese, pasojat e plotësimit me të dhëna të rreme, publikimin në faqen zyrtare të Kuvendit, në përputhje me parimin e transparencës, dhe përcjelljen për dijeni Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozite, deputeti propozues i këtij projektvendimi, do të dorëzojë bashkëlidhur edhe formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, të plotësuar.