Qeveria shqiptare do të jetë bashkëpjesëmarrëse në investimin për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit duke hyrë në ortakëri me kompanië e Jared Kushner. Por forma se si qeveria do të marrë pjesë, nuk është vendosur ende pasi do të përcaktohet më vonë me propozimin e kompanisë së dhëndrrit të Presidentit të zgjedhur Amerikan.
“Projekti i investimit propozohet nga subjekti aplikues në formën e bashkëpjesëmarrjes shtetërore në investim në përputhje me VKM-në Nr.1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS),” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike që shpall projektin si investitor strategjik.
Vendimi i qeverisë që referohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike parashikon se qeveria shqiptare mund të hyjë në ortakëri edhe duke investuar para.
“Shteti mund të veprojë si bashkëzhvillues i një investimi strategjik duke marrë pjesë si ortak/aksionar në shoqërinë tregtare që do të realizojë investimin strategjik, nëpërmjet kontributit në kapital, me para dhe/ose në natyrë. Pjesëmarrja e shtetit në shoqëri kryhet sipas mënyrave, formave dhe rregullave të përcaktuara nga legjislacioni tregtar shqiptar,” thotë neni 3 i kësaj VKM-je.
Marrja e statusit të investitorit strategjik e detyron qeverinë shqiptare që të investojë për infrastrukturën e shërbimeve publike si rrugët, ujësjellësi apo dhe energjia eleketrike në funksion të investimit. Në rastin e projektit të Sazanit, kosto që do të paguajnë taksapaguesit shqiptar do të jetë qindra milionë euro për të çuar aty ujin dhe linjat elektrike nënujore. Por nuk dihet nëse përveç këtyre qeveria do të marrë pjesë edhe drejtëpërdrejtë me kapital për ndërtimin e hotelit dhe vilave rezidenciale në projektin me sipërfaqe 45 hektarë.
Sipas vendimit, forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare, Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.
“Subjekti investues, si çdo investitor i cili kërkon pjesëmarrjen shtetërore në një investim strategjik, përgjatë procesit të negocimit të marrëveshjes, duhet të paraqesë pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve planin e plotë të biznesit, në të cilin përcaktohen edhe detyrimet përkatëse të propozuara në ngarkim të investitorit strategjik dhe të shtetit si dhe kostot përkatëse,” thuhet në vendim.
Kompania do të paraqesë gjithashtu studimin e plotë të fizibilitetit, i cili përfshin, në mënyrë të detajuar, analizën dhe vlerësimin teknik, ekonomik dhe tregtar të projektit, si dhe provon se projekti është i përshtatshëm dhe i realizueshëm, një relacion shpjegues, ku jepen arsyet e kërkesës për përfshirje shtetërore,
mënyra e pjesëmarrjes apo mbështetjes direkte të shtetit në investim dhe një shpjegim i detajuar i vlerësimit të pjesëmarrjes shtetërore, si e nevojshme nga
ana e investitorit për suksesin e projektit;
Po kështu kompania do të paraqesë përshkrimin e detajuar të formës e të nivelit të pjesëmarrjes shtetërore të kërkuar, të shoqëruar me informacione konkrete për aspektet e pjesëmarrjes shtetërore. Të gjitha këto detaje më vonë do të vendosen përmes negociatave mes shtetit dhe kompanisë amerikane nga një grup i përbashkët negocimi.
Me Urdhër të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, përcaktohen detyrat, afatet dhe mënyra e funksionimit të Grupit të Negocimit të Marrëveshjes që do të nënshkruhet ndërmjet shtetit shqiptar dhe investitorit strategjik. Grupi do të kryesohet nga përfaqësuesi i Korporatës Shqiptare së Investimeve dhe do të ketë në përbërje të tij përfaqësuesit e Korporatës Shqiptare së Investimeve, aparatit të Zëvendëskryeministrit, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Albanian Seaports Development Company sh.a, si dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
Ky grup vlerëson propozimin e investitorit për përfshirjen e shtetit në investimin strategjik, si dhe të gjitha hipotezat, supozimet, zgjidhjet, treguesit, analizat dhe rezultatet e përcaktuara në dokumentet e paraqitura nga investitori. Më pas marrëveshja e dakortësuar do t’i përcillet qeverisë për miratim.