Ballina Politika Zgjedhjet/ Vangjel Dule konfirmon koalicionin me PD: Kandidat preferoj të jem në...

Zgjedhjet/ Vangjel Dule konfirmon koalicionin me PD: Kandidat preferoj të jem në Vlorë

31
0

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Vangjel Dule, do të jetë pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike. Ky konfirmim vjen nga Vangjel Dule, i cili në një konferencë për mediat, sqaroi se ende nuk ka një marrëveshje të shkruar me demokratët për të qartësuar se si do ndahen kandidatët brenda koalicionit, shkruan ai.

“PBDNJ e di se ku e ka influencën e vetë më të madhe dhe këto janë qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës dhe më pas Tirana. Kështu që dhe preferencat do të ishin me të njëjtën renditje prioritarizimi, por gjithmonë në koalicion nuk je dhe nuk vendos vetëm. Do të jetë objekt i një vendimmarrje të përbashkët”, u shpreh Vangjel Dule – Kryetar i PBDNJ.

Por më të qartë e kishte panoramën se ku do të preferonte për të garuar ai vetë. “Qarku preferencial ua thash dhe isha i qartë, aty ku ke influencën më të madhe dhe kjo dihet që është qarku i Vlorës”, tha Dule.

I pyetur nëse bashkëpunimi i Partisë Demokratike me PDIU-në e Shpëtim Idrizit është vijë e kuqe, Dule nuk e pohoi një gjë të tillë.

“Janë vlerat evropiane të cilat janë të mirëpërcaktuar, kushdo që u shërben këtyre vlerave është i mirëpritur. Kushdo që është jashtë parametrave evropiane në programet dhe pretendimet e veta, nuk ka nevojë që të vendos dikush kusht, pasi funksionon dhe vetëpërjashtimi”, u shpreh Dule.

Një thirrje pati për të gjithë zyrtarët e qeverisë që janë angazhuar për të ndihmuar emigrantët që të regjistrohen për të votuar, duke u kujtuar se mund të kryejnë dhe krime zgjedhore.

“Kemi parë tashmë të gjithë pamje ku ministrja, ku jo një, por dy edhe tre, në video dhe pamje fotografike që monitorojnë procesin e asistencës teknike të organizuar nga partitë, nëse ky proces vijon i tillë rrezikohet që regjistrimi i emigrantëve nga një proces individual të kthehet në instrument të industrializimit të tij dhe të shndërrimit të votës në krim zgjedhor”.

Dule kërkoi nga qeveria që të marrë vendimin për të shtyrë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit për të gjithë emigrantët, që asnjë qytetar të mos mbetet pa votuar në 11 maj.