Brenda shtëpisë së familjes, Rudolf Höss – komandanti SS me shërbimin më të gjatë të Aushvicit – që ëndërroi mënyrën më efikase për të vrarë miliona hebrenj, romë, homoseksualë dhe të burgosur politikë që Rajhu i Tretë kishte vendosur të eliminonte. Në një reportazh të realizuar aty CNN shkruan se pemët e larta dhe një mur i lartë betoni errësuan pamjen dhe britmat e kampit, në mënyrë që gruaja e Rudolfit, Hedvig dhe pesë fëmijët e tyre – të mund të jetonin të mbrojtur nga mizoritë e kryera vetëm pak metra nga dera e tyre.
Ata kishin një jetë të gëzueshme. Fëmijët luanin me breshkat, macet, hipnin në kuaj dhe notonin në lumin aty pranë. Ndërkohë, familjet e tjera shtyheshin në dhomat e gazit dhe oxhaqet e kampit të përqendrimit nxirrnin tym. Që kur Aushvici u çlirua në janar 1945, shtëpia ka qenë në pronësi të një familjeje polake. Por vitin e kaluar ajo u ble nga një OJQ me bazë në Nju Jork që ka kërkuar të luftojë ekstremizmin që nga viti 2014.
Brenda pak ditësh, kjo ndërtesë – një simbol i fuqishëm i mënyrës sesi u orkestrua Holokausti, do të hapë dyert e saj për vizitorët në një formë krejt të re. Tani, nuk janë vetëm fotografitë e shtëpisë së lumtur të Hoss-it që kanë mbetur, por edhe ditarët, njëri i shkruar nga kujdestari i familjes dhe tjetri nga vetë Rudolf Hoss. Pas kapjes së tij dhe para ekzekutimit të tij, Hoss-i u urdhërua të shkruante kujtimet e tij, duke dhënë një pasqyrë mbi funksionimin e një mendjeje që ishte edhe e zakonshme, edhe tmerrësisht e keqe.
Në të, Hoss e përshkroi veten si njeri i përkushtuar ndaj disiplinës dhe ndaj rendit. Ai shkroi se ishte “për të mbrojtur shëndetin mendor” të rojeve të tij, se vendosi të përdorte insekticidin Zyklon B, për të vrarë sa më shumë hebrenj në mënyrë efektive.
Gjatë tre viteve e gjysmë të Hoss-it në kamp, u ndërtuan katër dhoma shtesë gazi të destinuara për asgjësimin e industrializuar. Më shumë se 1.1 milion njerëz u vranë atje, duke e bërë Aushvic-Birkenau më vdekjeprurësin nga të gjitha kampet naziste. Ditari i Hoss-it gjithashtu i ndihmon lexuesit të kuptojnë më shumë rreth jetës së familjes në 88 Legionou Street dhe përpjekjes për të mbrojtur fëmijët e tyre. Dritaret e mbyllura, muret e larta, dhe një motoçikletë e ndezur jashtë për të mbytur klithmat e njerëzve brenda.
Në kujtime, Hoss tregon gjithashtu se si i shikonte gratë dhe fëmijët që çoheshin në dhomat e gazit.“Një grua m’u afrua dhe më tregoi katër fëmijët e saj, të cilët po ndihmonin më të vegjlit mbi tokën e ashpër, dhe më pëshpëriti: “Si mundesh të vrasësh fëmijë kaq të bukur, të dashur? Nuk ke zemër fare?’”
Pasi kishte parë skena të tilla, shkruante Hoss, ai do të hipte në kalin e tij për të pastruar mendjen. Por në asnjë moment ai nuk dukej se e kuptonte tmerrin e veprimeve të tij. Ai e quajti shfarosjen e hebrenjve një “gabim” dhe jo një krim dhe diçka që ishte rezultat i bindjes shumë verbërisht të urdhrave nga lart, bazuar, thotë ai, në bazë të një ideologjie të gabuar.
Hoss shkoi në arrati pas çlirimit të Aushvicit, por më pas u kap, duke u bërë personi i parë në një nivel kaq të lartë që pranoi shtrirjen e masakrës në kamp. Ai u detyrua të dëshmonte në Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare në Nuremberg dhe më vonë u dënua me vdekje nga një gjykatë polake.
Hoss u var midis kampit dhe shtëpisë së tij në 1947. Familja e mbijetuar Hoss vendosi një distancë midis vetes asaj dhe asaj që kishte bërë Rudolf Hoss. Gruaja e tij dhe vajza u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara pas ekzekutimit të tij. Në një intervistë në vitin 2013 me Uashington Post, e bija tha: “Duhet të ketë pasur dy anë të tij. Ai që njihja dhe më pas një tjetër.” /CNN/