Ballina Kulturë ‘Iluzionet bashkëshortore” shfaqet në Teatrin Kombëtar

‘Iluzionet bashkëshortore” shfaqet në Teatrin Kombëtar

24
0

Humor dhe situata të pazakonta sjell shfaqja “Iluzionet bashkëshortore” që po vijon të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar te ArTurbina edhe këtë fundjavë.

Vepra e dramaturgut francez Eric Assous, me regjinë e Artan Imamit dhe e përkthyer nga Anxhela Çikopano vjen nën interpretimin e Indrit Çobanit, Andia Xhungës dhe Donald Shehut.

“E ftojmë publikun sepse është një dramaturgji që nuk mbyllet në momentin kur mbaron shfaqja. Ajo vazhdon në mendje, në dialogjet dhe në minikonfliktet e çifteve, sidomos gjatë rrugës dhe kur të mbërrijnë në shtëpi”, tha Artan Imami, regjisor.

Komploti sillet rreth dinamikës komplekse të një çifti të martuar, të cilët përballen me sfidat dhe dyshimet që lidhen me jetën e tyre martesore. Përmes një loje të sinqertë dhe argëtuese rrëfimi, të dy bashkëshortët zbulojnë lidhjet e tyre jashtëmartesore. Xhelozia e burrit ndaj lidhjes së fundit të bashkëshortes çon në situata të sikletshme dhe komike.

“Nëse sinqeriteti është betoni që çimenton një marrëdhënie apo gënjeshtrat janë ilaçi i duhur, për të mbajtur një marrëdhënie afatgjatë, të tëra këto pyetje gjenë përgjigje te kjo komedi”, shtoi ai.

Elementi kryesor që nxit historinë është dyshimi ndaj një miku të familjes që është i ftuar në shtëpinë e çiftit pa e ditur situatën.

Kështu miku i çiftit e gjen veten të pavetëdijshëm në qendër të vëmendjes dhe prania e tij krijon tensione të mëtejshme dhe keqkuptime zbavitëse që e bëjnë komedinë të gjallë dhe tërheqëse.